LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Standard i ri certifikimi. Drejtuesja e AKSHI-it, Koordinatore Kombëtare për Shqipërinë, në bordin e NATO-s, për Inteligjencën Artificiale

2023-02-08 18:00:00, Aktualitet CNA

Standard i ri certifikimi. Drejtuesja e AKSHI-it, Koordinatore Kombëtare

Vendet anëtare të NATO-s, ku bën pjesë edhe Shqipëria, do të nisin të përdorin një standard të ri certifikimi për çdo projekt të ri në fushën e të dhënave apo Inteligjencës Artificiale, për të ndihmuar industritë dhe institucionet.

Vendimi u mor gjatë takimit të 7 shkurtit në selinë e NATO-s, nga Bordi i Rishikimit të të Dhënave dhe Inteligjencës Artificiale (DARB), ku Shqipëria përfaqësohej nga drejtoresha e Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit, Linda Karçanaj, e cila mban edhe statusin e Koordinatores Kombëtare të Shqipërisë në bordin e NATO-s për të Dhënat dhe Inteligjencën Artificiale, për 2023-in.

Standardi i ri, i miratuar, do të nisë menjëherë zbatimin dhe do të kontrollojë cilësinë e projekteve në të gjitha vendet anëtare brenda vitit 2023 e njëkohësisht do të garantojë forcimin e besimit tek qytetarët dhe përdoruesit e teknologjisë, tek vendet anëtare të NATO-s.

“Përvoja e Shqipërisë në zhvillimin e shërbimeve publike online dhe digjitalizimin e shpejtë shihet me mjaft interes në vendet e Aleancës, për të cilat fola me shumë entuziazëm në këtë mbledhje të përbashkët”, tha drejtuesja e AKSHI-t, Karçanaj.

Në mbledhjen e mbajtur në selinë e NATO-s u ra dakord edhe për bashkëpunim në pilotimin e use case-ve, nga ku Shqipëria do të përfitojë sërish.

Po çfarë është DARB dhe cili do të jetë roli i Karçanajt si koordinatore e Bordit përgjatë këtij viti?

Bordi i Rishikimit të të Dhënave dhe Inteligjencës Artificiale shërben si një forum për vendet aleate dhe si pikë qendrore për përpjekjet e NATO-s, me qëllim zhvillimin dhe përdorimin me përgjegjësi të lartë të Inteligjencës Artificiale. Roli i Karçanajt, si koordinatore e Bordit përgjatë këtij viti, merr një vlerë të shtuar, prej vëmendjes dhe fokusit që do t’u jepet investimeve strategjike që po bëhen në Shqipëri në fushën e Teknologjisë së Komunikacionit.

Nëpërmjet DARB, aleatët dhe NATO-ja ofrojnë kontributin e tyre në përmirësimin e praktikave të platformave modulare të shpërdarjes (RAI), të cilat mundësojnë sisteme më të besueshme, të ndërveprueshme dhe më të sigurta, duke rritur kështu vazhdimisht cilësinë në raport me konkurrentët strategjikë dhe kundërshtarët e mundshëm./ CNA.al

Lajmet e fundit nga