LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Ylli Ndroqi mashtroi bankat/ GJKKO zbardh skemën

29 Dhjetor 2022, 09:57, Aktualitet CNA

Ylli Ndroqi mashtroi bankat/ GJKKO zbardh skemën

Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, ka zbardhur vendimin mbi konfiskimin e pasurisë së Ylli Ndroqit.

Bëhet fjalë për konfiskimin e dhjetëra pasurive, si apartamente, truall, njësi shërbimi, automjete, kuota dhe aksione në kompani të ndryshme.

Gjykata e ka marrë këtë vendim me argumentin për parandalimin dhe goditjen e krimit të organizuar, trafikimit dhe korrupsionit nëpërmjet masave parandaluese kundër pasurisë për vendosjen e masës së sekuestros, mbi pasuritë e  shtetasit Ylli Ndroqi (alias Xhemail Pasmaçiu), me argumentin se shtetasi në fjalë është subjekt i hetimit pasuror sipas ligjit nr. 10192 datë 03.12.2009 dhe se pasuritë e zotëruara, dukshëm nuk i përgjigjen nivelit të të ardhurave dhe fitimeve të ligjshme të shtetasit Ylli Ndroqi (alias Xhemail Pasmaçiu), si dhe ekziston rreziku që këto pasuri të humbasin apo tjetërsohen.

Ylli Ndroqi mashtroi bankat/ GJKKO zbardh skemën

Kujtojmë se Ylli Ndroqi është vënë nën hetim nga SPKA-u që me 21 korrik 2020 në kuadër të ligjit antimafia.

Ylli Ndroqi i njohur dhe si Xhemal Pasmaçiu është arrestuar për trafikim heroine në Turqi e Itali, konkretisht i arrestuar për heroinë në 1998 në Turqi dhe në 2015 në Itali.

Gjithashtu Ylli Ndroqi është arrestuar në Itali edhe si organizator i trafikut të drogës.

Të gjitha këto të dhëna janë argumentuar në vendimin e GJKKO-së, firmosur nga gjyqtarja Etleva Deda.

Ndroqi mashtroi bankat

Ylli Ndroqi mashtroi bankat/ GJKKO zbardh skemën

GJKKO ka zbardhur edhe skemën se si Ndroqi ka mashtruar bankat duke marrë kredi, për të justifikuar pasurinë e vënë.

Me vënien nën sekuestro të pasurive të Ndroqit, të paktën tri banka kanë reaguar duke kërkuar pronësinë mbi pasuritë, me argumentin e shlyerjes së kredive të marra nga Ndroqi.

Në vendimin e GJKKO-së, së datës 03.11.2022, thuhet se mbi bazën e ekzaminimit të akteve dhe provave të fashikullit të gjykimit, Gjykata e gjen të pranueshëm vetëm kërkimin për konfirmimin e vazhdimësisë, të të drejtave reale të garancisë mbi pasuritë objekt konfiskimi dhe jo kërkesën e palës së tretë, shoqëria  “Raiffeisen Bank” sh.a, për rrëzimin e kërkesës së Prokurorisë për konfiskimin e këtyre pasurive.

Pas vendimit nr. 166, datë 14.06.2022, të Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë dhe legjitimimit të saj në proces (në seancën gjyqësore të datës 17.06.2022) në cilësinë e palës/personit të tretë, shoqëria “Raiffeisen Bank” sh.a., nëpërmjet mbrojtësve të zgjedhur prej saj, në seancën e datës 08.07.2022, duke parashtruar qëndrimin e saj për themelin e pretendimeve të saj në këtë çështje konfiskimi, riformuloi kërkimin e saj, duke sqaruar se kishte marrë në konsideratë rezultatet e akteve të ekspertimit vlerësues të kryera nga eksperte Luiza Bala, sipas së cilës rezultonte se vlera aktuale e pasurive për të cilat ka të drejta reale të garancisë është shumë herë më e madhe sesa vlera e pashlyer e kredive bankare.

Duke qenë brenda natyrës së objektit të kërkesës fillestare, mbrojtja e kufizoi objektin e kërkimit të saj në këtë gjykim, me këtë formulim “Rrëzimi i kërkesës së Prokurorisë deri në vlerën e kredisë së papaguar prej 2,456,958.98 eurosh dhe vetëm sa u përket pasurive të lëna si garanci për shlyerjen e kredive ndaj RBAL”.    


Në diskutimin përfundimtar të datës 01.11.2022, shoqëria “Raiffeisen Bank” sh.a., ndër të tjera pretendoi se “….në rastin eventual të dhënies së vendimit për konfiskimin e tyre, pala e tretë, shoqëria 'Raifeissen Bank' sh.a., pretendon se, në alternativën që kërkesa për rrëzimin e kërkesës së Prokurorisë për konfiskimin e pasurive të lënë koletaral, nuk do të pranohet, Gjykata duhet të urdhërojë 'pronarin' e ri, eventual, të këtyre pasurive, shtetin shqiptar, nëpërmjet AAPSK, (sipas  pikës '2' të nenit 29 të ligjit parandalues), që të respektojë të drejtat reale që gëzon shoqëria 'Raifeissen Bank' sh.a. ndaj këtyre pasurive, deri në përmbushjen e detyrimit aktual të kredisë së pashlyer, në vlerën prej 2, 456, 958.98 (Dy milionë e katërqind e pesëdhjetë e gjashtë mijë e nëntëqind e pesëdhjetë e tetë) euro dhe 98 cent.”

Në lidhje me kërkimin alternativ të paraqitur nga mbrojtja e palës/personit të tretë, shoqëria “Raiffeisen Bank” sh.a., për konfirmimin e vazhdimësisë së të drejtave reale të garancisë, deri në shlyerjen e vlerës së papaguar të kredive, edhe pasi sendet të konfiskohen dhe të kalojnë në pronësi të shtetit, duhet të pranohet sepse gjendet i bazuar në prova dhe në ligj.

Edhe pala/personi i tretë “Tirana Bank” sh.a. parashtroi qëndrim alternativ, duke kërkuar përjashtimin e pasurisë nr. 40/85 nga konfiskimi, duke qenë se “Tirana Bank” sh.a. gëzon të drejta reale garancie mbi këtë pasuri, të cilat burojnë nga Kontrata e Hipotekimit nr. 712 Rep., nr. 352 Kol., datë 06.04.2020, ose, në rast konfiskimi të kësaj pasurie, kalimin e saj në favor të shtetit, duke ruajtur të drejtat reale të “Tirana Bank” sh.a. mbi pasurinë nr. 40/85, të rrjedhura nga Kontrata e Hipotekimit nr. 712 Rep., nr. 352 Kol., datë 06.04.2020.

Gjykata i gjen të drejta kërkimet alternative të shoqërive “Raiffeisen Bank” sh.a. dhe “Tirana Bank” sh.a., për të konfirmuar vazhdimësinë e të drejtave reale të garancisë mbi secilën prej pasurive që janë ngarkuar me to.

Shoqëria “Credins Bank” sh.a., gjatë parashtrimeve, sipas GJKKO-së, nuk parashtroi pretendime mbi të drejtat reale në funksion të mbrojtjes së interesave pasurore, por duke referuar nenin 7 të ligjit “Antimafia”, parashtroi moskompetencën e kësaj Gjykatë, duke kërkuar shpalljen e moskompetencës së Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar për gjykimin e kësaj kërkese për konfiskim dhe kalimin e akteve Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë.

“Në rastin konkret, hetimi pasuror, si dhe kërkesa për konfiskimin e pasurive të subjektit/shtetasit Ylli Ndroqi (alias Xhemail Pasmaçiu) dhe personit të lidhur me të, shtetases Mimoza Ndroqi, po zhvillohet mbi bazën e kërkimit të Prokurorisë së Posaçme, mbi pretendimin se ekziston dyshimi i arsyeshëm i bazuar ne indicie se ky shtetas ka kryer veprat penale “Trafikimi i  narkotikëve”, në bashkëpunim, (në Turqi) dhe “Trafikimi i  narkotikëve”, në bashkëpunim, në kuadër të organizatës kriminale (në Itali), e për pasojë, në bazë të pikës 1 të nenit 7 të ligjit parandalues, në lidhje me nenin 75/a të Kodit Penal ku referon, kompetente për gjykimin e kësaj kërkese/çështjeje për konfiskim është kjo Gjykatë, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar. Sa më sipër, kërkesa e palës/personit të tretë “Credins Bank” sh.a., mbi moskompetencën e kësaj Gjykate është e pambështetur në ligj”, thuhet në vendimin e GJKKO-së.

Gjykata konkludon se për pasuritë e konfiskuara plotësohen kriteret e parashikuara nga neni 24 i ligjit nr. 10192 datë 03.12.2009 “Për parandalimin dhe goditjen e krimit të organizuar, trafikimit dhe korrupsionit nëpërmjet masave parandaluese kundër pasurisë”.

Pasi ekziston dyshimi i arsyeshëm i bazuar në indicie se shtetasi Ylli Ndroqi (alias Xhemail Pasmaçiu) është i përfshirë në veprimtari kriminale, të parashikuar në nenin 3, pika 1, të këtij ligji.

Rezulton se pasuritë janë drejtpërdrejtë ose tërthorazi, në zotërim të plotë ose të pjesshëm të shtetasit Ylli Ndroqi (alias Xhemail Pasmaçiu) dhe personit të lidhur me të (për efekt të ligjit) Mimoza Ndroqi, si dhe nuk provohet se pasuritë kanë prejardhje të ligjshme apo shtetasi Ylli Ndroqi (alias Xhemail Pasmaçiu) dhe personi i lidhur me të (për efekt të ligjit) Mimoza Ndroqi, nuk arrijnë të përligjin zotërimin e pasurive ose të të ardhurave, të cilat janë shpërpjesëtimore me nivelin e të ardhurave apo fitimeve të realizuara nga burime të ligjshme të deklaruara prej tyre./CNA.al

Lajmet e fundit nga